Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë që u regjistrua në Shkodër, ku nëna hodhi në lumë foshnjën e porsalindur. Kërkimet për trupin e foshnjës në Lumin Kir nisën pas denoncimit të murgeshave, së cilave nëna 32-vjeçare u kishte rrëfyer se kishte hedhur foshnjën në lumë.
Mësohet se fëmija i porsalindur u gjet i mbështjellë me batanije brenda një qese plastmasi, gryka e së cilës ishte mbyllur me tel. Në vendin ku u gjet i pajetë foshnja, policia gjeti dhe dy receta mjekësore të 32-vjeçares, biberon dhe medikamente.
32-vjeçara është lënë në burg dhe do i nënshtrohet edhe një ekspertimi psikologjik. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Golem më 4 janar. 32-vjeçarja e ka kryer krimin në gjendje të rënduar psikologjike. Ajo ishte e pamartuar dhe nuk kishte familje, ndaj jetonte me dajën në fshatin Golem, ndërsa fëmijës nuk i kishte deklaruar atësinë.
Foshnja erdhi në jetë në datën 30 dhjetor 2022, ndërsa O.G doli nga materniteti i Shkodrës në datën 4 janar 2023. Në gjendje të rëndë psikologjike, e reja e hodhi foshnjën në rrjedhën e lumit Kir dhe të premten e 6 janarit është drejtuar te murgeshat, të cilave u ka rrëfyer krimin e rëndë.
Mjeku i maternitetit të Shkodrës ka bërë me dije se 32-vjecarja refuzoi të regjistronte atësinë e fëmijës. Ajo kishte kërkuar që ta dorëzonte në shtëpinë e foshnjës por më pas kishte ndryshuar mendje dhe e kishte marrë me vete foshnjën.