Në Shqipëri, brenda tre muajve të fundit zona e Nënshkodrës është përmbytur tre herë duke shkaktuar dëme të shumta për ekonominë e mijëra familjeve, por edhe infrastrukturën publike dhe mjedisin. Bashkia e Shkodrës kërkon që dëmet të kompensohen nga korporata elektroenergjitike, si shkaktare e përmbytjeve,ndërsa përfaqësuesit e qeverise thonë se dëmet kompensohen nga fondet që bashkitë planifikojnë çdo fillimviti për rastet e emergjencave civile.
Ndërsa situata e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës po shkon drejt normalizimit pas ndërprerjes së përkohshme të reshjeve intensive të shiut, dalëngadalë po dalin në pah dëmet që përmbytjet shkaktuan, kryesisht në tokat bujqësore dhe sera.
Drejtuesit vendor të Shkodrës janë të bindur se, ashtu si edhe në vitet e kaluara, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës janë shkaktuar nga shkarkimet e hidrocentralit Vau Dejës, që është edhe i fundit në kaskadën e lumit Drin, ndaj edhe dëmet duhet të kompensohen nga korporata elektroenergjetike.
Nëse KESH shkakton dëme, për shkak të shkarkimeve nga portat, tashmë duhet t’i jepet fund kësaj historie dhe duhet të hartohet një ligj, që po KESH-i të dëmshpërblejë banorët që preken nga përmbytjet, sepse këto banorë nuk mund të riskojnë dhe të jenë objekt përmbytjesh të vazhdueshme që thuajse ndodhin çdo vit”, thotë nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Tonin Deda.
Për Minstrin e Mbrotjes Niko Peleshi, qeveria u ka shpërndarë bashkive 10 milion euro për të përballuar rastet e emergjencave civile, fonde të cilat bashkitë duhet t’i përdorin menjëherë për rastet e emergjencave apo fatkeqësive natyrore.
Dhe ndërkohë që institucionet qendrore dhe vendore ende nuk janë marrë vesh se e kujt është përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, banorët e Nënshkodrës vazhdojnë, që nga viti 2010-2011, të përballen me pasojat e përmbytjeve thuajse të përvitshme, të cilat po rrënojnë ekonominë e zonës dhe familjeve të tyre./VOA/