Ronald Koeman është prezantuar si trajneri i ri i Holandës gjatë ditës së sotme.
59-vjeçari do t’i drejtojë Tulipanët për herë të dytë, pasi ishte trajner edhe më parë gjatë viteve 2018-2020 ku falë menaxhimit të tij kualifikoi ekipin në “Euro 2020”.
Ai ka qenë pa punë prej se u largua nga Barcelona në vitin 2021, ndërsa në konferencën për shtyp ka konfirmuar se do t’i kthehet sistemit me katër mbrojtës.
Koeman zë vendin e Louis van Gaal dhe e ka bërë të qartë se do t’i bëjë gjërat ndryshe në krahasim me paraardhësin e tij.
Një prej tyre është formacioni. Përzgjedhësi paraprak ka luajtur me tre ose pesë mbrojtës, derisa trajneri i ri ka thënë se do t’i kthehet sistemit të mëparshëm me katër mbrojtës.
Si futbollist, Koeman konsiderohet ndër lojtarët më të mëdhenj që ka prodhuar Holanda dhe në rolin e mbrojtësit e ka përfaqësuar vendin e tij 78 herë duke shënuar 14 gola.
Ai ka fituar gjithçka si lojtar i Barcelonës, ndërsa me Holandën ka qenë fitues i Kampionatit Evropian të vitit 1988.