Kryetari i PD-së, Sali Berisha denoncoi menaxhimin e përmbytjeve nga reshjet e shiut që ranë në javën e fundit. Ish-kryeministri tha se banorët e Shkodrës u përmbytën nga digat. Përveç Facebook-ut, Berisha tha se asgjë tjetër nuk ka funksionuar nga qeveria e Ramës.
“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe, qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë, e cila sillet sot si një organizatë e papërgjegjshme dhe ka lënë Shqipërinë një vend tërësisht të braktisur.
Nga jugu në veri, rrugë të bllokuara, jetë të humbura, për shkak të infrastrukturës mesjetare, shembje masive për shkak të vjedhjes së fondeve në skarpate, rrënime të investimeve të bëra dhe dy vjet më parë.
Shqipëria nuk pati një mot të madh dhe nuk ishte moti i madh, fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që kryejnë. U zhdukën, përveç Facebook-ut të Edi Ramës, nuk ka funksionuar asgjë.
Duke shprehur solidaritetin tim të plotë me të gjitha zonat e dëmtuara, me banorët e Shkodrës, që u përmbytën nga digat, duhet të kesh logjikën e harbutit, të hapësh portat e tre liqeneve të kaskadës dhe të deklarosh se Shkodra dhe Nënshkodra nuk u përmbytën nga kaskada.
Vetëm e vetëm se duhet të dëmshpërblesh për çdo metër katror të përmbytur nga diga. Katastrofë ishin përmbytjet në Lezhë, dhe vetëm pasi ikën ujëra, u bë i gjallë Pjerini. Shkoni e shihni inaugurimet e dy viteve më parë në Kune, se si i mori shiu i parë.
Në Rehovë, një zonjë shtëpie, bashkëshorte, nënë, motër, 50vjeçare, humbi jetën në përroin e Torrovilës për shkak të urës së rrënuar. Për këtë qeveri, shqiptarët nuk ekzistojnë, ose ekzistojnë për vjedhjen e taksave të tyre” tha ai.