Kryetari i PD-së Sali Berisha, që ka qenë kryeministër në 21 Janar kur u vranë në bulevard katër protestues e cilësoi sajesë dhe manipulim të drejtorit të Agjencisë së Mbikëryrjes Policore, Ardi Veliu daljen e asaj që u konsiderua nga qeveria socialiste si provë e re, komunikimin ditën e ngjarjes 12 vite më parë të komandantit të gardës me vartësit, ku u kërkonte që të bëheshin gati për zjarr luftarak kundër qytetarëve që ishin në tubim. Berisha tha se kjo dosje është gjykuar në kohën e ish-Kryeprokurores Ina Rama dhe është histori e mbyllur, por kishte një akuzë. Ai tha se Edi Rama që organizoi tubimin nuk u hetua asnjëherë.
“Që unë të komentoj manipulimet e Ardi Veliut, harroje! I takon mediave t’i thonë të vërtetën e atij manipulimi. Nuk mund të komentoj unë një, disa tabela shkrimi që paraqiten si audio-përgjim dhe që nuk ekzistojnë. Nuk u paraqit kund audio. Por dëshmoi se është një manipulim dhe falsifikim.
Njëlloj si shiriti i 21 Janarit ku u tha se Sali Berisha ishte i implikuar në problemin e hidrocentralit. Është gjithçka krijesë e Ardi Veliut. 21 janari përbën një nga ngjarjet më tragjike. Përpjekjen për një grusht shteti. Marrje të pushtetit me dhunë, nga ata që i kam denoncuar me kohë. SHBA ka insistuar me të madhe në atë periudhë që të hetohen organizatorët dhe autorët dhe dhunës.
Edi Rama është personi kryesor organizator i dhunës. Nuk gjeti kurrë kurajo të paraqitej në prokurori edhe pse u thirr. Ramën do ta ndjekë gjithë jetën përgjegjësia penale për organizimin e asaj dhune. Pjesa e dhunës u hetua nga një kundërshtare e egër e Sali Berishës me një prani të rëndësishme ndërkombëtare. I them (Edi Ramës), lëri ato, hiq imunitetin dhe shko dëshmo për organizimin e puçit. I solli si “mish për top” tha Berisha.