Zbardhen konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e thirrur nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj, me temë: “Analiza e gjendjes së sigurisë kombëtare dhe diskutimi i prioriteteve për vitin 2023” që zgjati rreth 90 minuta.
Në përfundim të mbledhjes, pas raportimeve dhe diskutimeve në Këshillin e Sigurimit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë.
Presidenti theksoi si të rëndësishëm bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.
Kreu i shtetit kërkoi që të trajtohen me prioritet procesi i rishikimit dhe hartimit të dokumenteve strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.
“Këto dokumente nuk duhet të jenë thjesht dokumente formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumenteve të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë” tha ai.
90 minuta për sigurinë! Begaj mbledh këshillin për sulmet kibernetike, Kosovën e luftën