Presidenti i rajonit të Pulias Michele Emiliano i është rikthyer edhe njëherë projekt idesë së vjetër për një tubacion për t’u furnizuar me ujë nga Shqipëria. Gazeta “corriere del mezzogiorno” i ka kushtuar sot një artikull të gjatë projektit dhe prononcimit të drejtuesve më të lartë të rajonit.
Pulia do të donte të vinte bast për ujin, i cili është burimi që i mungon më shumë territorit. Është shoqëria aksionare që administron shërbimin e integruar të ujit, Acquedotto Pugliese, e cila vë bast për një rrjet “shpëtimi” mes Pulias dhe Shqipërisë.
Menaxhmenti po ngroh motorët ndërsa pret të kalojë nga propozimet në analizën e hartave, ato që tregojnë thellësinë e detit për të zbatuar linjën që duhet ndjekur. “Këtu ditët e fundit tema është rishfaqur edhe pas analizës së hartës së investimeve të nisura tashmë nga Aqp (vlera mbi një miliard euro)” thuhet në artikull.
Prej vitit 2015, kreu i rajonit Michele Emiliano ka nisur një negocim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama mbi perspektivat e bashkëpunimit në frontin ujor për të eksploruar mundësinë e përshpejtimit të ndërtimit të një ujësjellësi midis brigjeve të Adriatikut. Emiliano, në fakt, sqaroi se Puglia dhe Aqp janë gati të “përpunojnë një studim fizibiliteti”.
Emiliano: Infrastruktura ujore Pulia-Shqipëri tashmë objekt diskutimi me Ramën
“Shumë herë tema e infrastrukturës ujore Pulia-Shqipëri – shpjegon Emiliano – ka qenë në qendër të diskutimeve me Ramën. Kryeministri ka shfaqur interes për kryerjen e punës. Do të ishte ëndrra e jetës sime edhe sepse lëviz përgjatë vijës së ujit që është burimi i jetës dhe i marrëdhënieve të mira mes territoreve tona.
Së fundi, nga ana e kostos ka teknika të reja, siç janë ujësjellësit detarë të pezulluar (të cilët nuk qëndrojnë në shtratin e detit). Një metodë që ka avantazhin se është më pak e kushtueshme dhe e lehtë për t’u mirëmbajtur. Ne besojmë në të”.
Lëvizjet për përshpejtimin e studimeve kanë të bëjnë edhe me palën shqiptare, ku falë Confindustria Albania (e drejtuar nga puliani Sergio Fontana), zgjidhja për ndërtimin e investimit po shqyrtohet. Jo vetëm për aspektin teknik, por edhe mbi të gjitha për atë ekonomik.
“Në Shqipëri ka shumë interes për këtë ndërhyrje infrastrukturore – shpjegon Fontana – dhe dosja është në tryezën e kryeministrit Edi Rama. Objektivi është të përcaktohen konturet e fizibilitetit të investimit. Pulia, natyrisht, do të bëjë gjithçka për të arritur qëllimin. Do të ishte një mbështetje e vlefshme për bizneset dhe qytetarët” tha ai.
Një vështrim i parë çon në përcaktimin e planit të investimit një miliard euro. Pikat që do të lidhen, në fakt janë 200 kilometra larg njëra-tjetrës, nga të cilat 85 kilometra tubacione nëndetëse dhe 115 kilometra në tokë (30 kilometra në Itali dhe 85 në Shqipëri).
Në Pulia pika e lidhjes do të jetë në rezervuarin Galugnano. Ndërsa në bregun përballë një nga tre opsionet në terren është ai i Gjirokastrës. Linja batimetrike shënon edhe pikën më të thellë në 855 metra.
Karakteristikat teknike
Nga pikëpamja teknike po flasim për një normë rrjedhjeje prej 4-4,8 metra kub në sekondë (e barabartë me 150 milionë metra kub në vit). Për të kuptuar rëndësinë, mjafton të krahasohet kjo rrjedhë me atë të strukturave tashmë ekzistuese.
Por cili është përdorimi kryesor? Synimi është zhvendosja e burimeve ujore nga një vend i pasur, si Shqipëria, në një vend të varfër, si Pulia. Sidomos në Salento ku niveli i ujit është gjithnjë e më i kripur dhe më pak i përshtatshëm për t’u pirë.
Për më tepër, të qenit në gjendje të llogarisni në kontributin e ujit shqiptar do të kishte një ndikim jetik në mjedis. Përparësitë, megjithatë, nuk do të ishin vetëm për Pulian.
Krahas ndërtimit të infrastrukturës, e cila do të krijonte 8000 vende të reja pune (drejtpërdrejt dhe indirekte), do të kishte të ardhura nga pagesa e ujit të shitur dhe punimet kompensuese që do të përdoren për modernizimin e rrjetit të ujit, mbyllet shkrimi.