Policia ka arrestuar Lavdim Kalacin, Edmond dhe Ahmet Torbën të cilët plagosën rëndë një 60-vjeçar i cili humbi jetën në qershor të 2022.
Fillimisht ngjarja u referua si aksidentale dhe u tha se 60-vjeçari Nuri Basha, ishte rrëzuar teksa po zbriste nga makina e parkuar ku ishte pasagjer. Ai mori dëmtime të rënda në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë, por nuk mundi të shpëtonte.
Policia pas hetimeve në qershor ka ndaluar Osman Torbën. Ndërkohë sot janë arrestuar edhe tre personat e tjerë që ishim shpallur në hetim
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, si rezultat i një pune hetimore të pandërprerë, në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të një ngjarjeje të ndodhur në qershor të vitit 2022, në fushën e krimeve kundër personit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Deepened”, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
E. T., 49 vjeç, A. T., 64 vjeç dhe L. K., 53 vjeç, të tre banues në Peshkopi.
Nga tërësia e hetimeve të thelluara dyshohet se më datë 26.06.2022, në lagjen “Kamen”, Peshkopi, pranë lokalit të shtetasit L. K., pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. T., në bashkëpunim me shtetasit A. T., L. K. dhe O. T. (i arrestuar më parë), kanë plagosur rëndë 60-vjeçarin N. B., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën në spital, dy ditë pas ngjarjes.