Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl gjatë një vizite studimore në Kosovë mbajti edhe një konferencë me gazetarët.
Mandl tha se edhe atij i ka humbur durimin për vonesat që po i bëhen Kosovës për mosliberalizim të vizave, ndërsa theksoi se pret që kjo të bëhet sa më parë.
“Presim me padurim që të hyjë në funksion liberalizimi i vizave nga 1 janari i vitit 2024. Kemi parë që ky proces është shtyrë disa herë, prandaj ne do të kujdesemi që ky proces të realizohet. Është vonuar e shtyrë shumë – madje edhe unë e kam humbur durimin për këto vonesa”, tha ai.
Nga ana tjetër parlamentari austriak, Helmut Brandstatter tha se duhet gjetur një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe që pesë shtetet e Bashkimit Evropian ta njohin Kosovën.
“Duhet të ballafaqoheni me Serbinë dhe të gjendet një zgjidhe, gjithashtu duhet të gjendet një zgjidhje me pesë shtetet tjera të BE-së që ta njohin Kosovën, si vend normal në Evropë”, u shpreh Brandstatter.
Një ditë më parë Mandl është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.