Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në fjalën e tij në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it u ndal tek sfidat ekonomike që pas luftës në Ukrainë.
Teksa i referohet raportit, Sejko thotë se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore.
Ai u shpreh se stabiliteti afatmesëm dhe afatgjatë i çmimeve ka qenë dhe mbetet objektivi prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë.
“Pavarësisht kësaj tabloje, sfidat mbi ekonomitë në tranzicion mbeten ende prezente. Raporti i Tranzicionit me të drejtë nënvizon se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore.
Së pari, këto konflikte shoqërohen me rritje të emigracionit, me pasoja afatgjata si për vendet pritëse dhe për ato të origjinës. Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve.
Së dyti, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit. Së treti, tensionet gjeopolitike ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike”, tha nder te tjera Sejko.