Sekuestrohen 763 aparate celulare të kontrabanduara në Tiranë duke çuar në arrestimin e katër personave. Mes të arrestuarve janë dy vëllezër që tregtonin aparate celulare të kontrabanduara në 5 dyqane, të cilat i kishin regjistruar në emër të familjarëve të tyre, për të shmangur detyrimet tatimore. Arrestohen edhe dy persona që administronin dy prej dyqaneve. Shpallen në kërkim dy të tjerë që administronin dy dyqane të tjera.
“U arrestuan F. K., 38 vjeç dhe E. K., 33 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë, pronarë të 5 dyqaneve për tregtimin e celularëve; D. M., 38 vjeç dhe I. B., 25 vjeçe, administratorë të 2 prej këtyre dyqaneve, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim administratorët e 2 dyqaneve të tjera, shtetasit F. I., 37 vjeç dhe R. M., 45 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit F. K. dhe E. K., për të shmangur detyrimet tatimore, i kishin regjistruar dyqanet për tregtimin e celularëve, në emër të të afërmve të tyre. Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto dyqane, më rrugët “Hoxha Tahsim”, “Konferenca e Pezës” dhe në “Rrugën e Durrësit”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 763 aparate celulare të llojeve të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara” mbyllet njoftimi.