Tërmeti tragjik që tronditi dje Turqinë dhe Sirinë ka shkaktuar deri tani mbi 5 mijë viktima dhe bilanci vijon që të rëndohet. Por me goditjen e fortë që u pasua edhe nga shumë të tjera u shfaqën disa fenomene. Por si shpjegohen këto fenomene? “5pyetjet.al” kontaktoi sizmologun Edmond Dushi nga Instituti i Gjeoshkencave për të marrë opinionin e tij.
Parashikimi i studiuesit holandez
“Unë nuk jam fans i këtyre dhe përsa kohë nuk është sistematike dhe shkencore dhe nuk është vërtetuar më shumë se njëherë…Kur bëhet fjalë për parashikim, në sizmologji nuk është arritur. Nuk e ka arritur shërbimi japonez që është shumë përpara. Ka shumë tentativa. Ky është një drejtim i ri sizmologjik” tha ai.
Zhurma që u krijua para tërmetit
“Zhurmat janë bashkëshoqëruese, si në çdo rast vibrimi në sipërfaqen e tokës për shkak të valës, sipërfaqja është shumë e madhe dhe mund të indiktojë valë. Strukturat kur vibrohen krijojnë një lloj sinjali akustik, pasi zhvendosin masa ajri. Kjo shoqëron atë. Energjia që çlirohet është shumë e madhe” tha sizmologu.
Toka lëvizi 3 metra?
“Kjo është e mundur, por jo, toka, por korja e tokës në zonën që ka ndodhur tërmeti ka një spostim prej tre metrash, që ndodh pas tërmetit. Kjo është e lidhur me momentet e forcave të strukturave që strukturat tektontike gjenerojnë tërmetin. Kjo është zhvendosje totale. Bie tërmeti në një pikë dhe e sposton me tre metra” tha Dushi.
Dritat e çuditshme
“Këto janë dukuri shoqëruese në tërmetet e forta. Ka edhe informacion nga tërmetet e fuqishme, katastrofike që kanë ndodhur. Kjo është teorike, është studiuar në kushte laboratorike dhe jo në natyrë se nuk e dimë kur bie tërmeti që ta shikojmë” shpjegoi Edmond Dushi për “5pyetjet.al”.