Konflikti mes familjarëve dhe mjekes së spitalit infektiv është bërë shkak për lënien në harresë të pacientit që humbi jetën javën e kaluar, si pasojë e atakut kardiak. Mjekja Esi Duka ra pre e dhunës nga Igli Spahija dhe Bledar Bali brenda ambjeteve të QSUT-së.
Sipas dosjes hetimore Esi Duka ka njoftuar Igli Spahinë mbi gjendjen e të vëllait i cili ishte i shtruar në infektiv. Sapo ka mësuar se i afërmi i tij nuk ishte mirë, Spahia ka nisur ta kërcënojë mjeken në telefon me fjalët “do të vras, do të shkëly, do të këpus qafën”.
Mjekja e ka mbyllur telefonin dhe ka vijuar punën por pas pak, te salla e mjekimit kanë shkuar Igli Spahija dhe Bledar Bali. Ata kanë thyer dyert, kanë përplasur sende, i janë afruar doktoreshës Esi Duka, të cilën Igli e ka qëlluar me grusht dhe e ka përplasur në mur, e ndrësa Bledar Bali ka tentuar ta godasë. Mjekja është larguar duke njoftuar më pas policinë, sipas gazetarit Edison Vatnikaj.
Situata e tensionuar ka vijuar edhe pas mbërritjes së policisë. Kur efektivët kanë shkuar në katin e tretë, në drejtim të tyre kanë ardhur dy persona duke i shtyrë, fyer dhe kërcënuar. Sipas deklarimeve të Bledar Balit gjatë kohës që ata janë futur në dhomë kanë parë dy mjekët që po i bënin masazh kardiak pacientit që ishte pa shenja jete. Të tronditur ata janë afruar dhe orvatur të ndihmojnë pacientin, por i ka kapur ankthi dhe paniku dhe janë larguar.