Pesë persona janë arrestuar me urdhër të SPAK-ut ditën e sotme në Dimal, mes tyre tre drejtues të bashkisë, një është në arrest shtëpie, të akuzuar për korrupsion.
Konkretisht të arrestuarit janë A.Ç. me detyrë shef transporti në kohën e kryerjes së veprës penale, Altin Pali me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës dhe A. Ç. me detyrë shef i IKMT, Bashkia Dimal.
Arrest shtëpie është caktuar për Valentina Jançe me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale shefe urbanistike pranë Bashkisë Dimal.
Gjithashtu janë arrestuar Arjan Demiraj me profesion inxhinier dhe Vait Koshi me profesion ekonomist, menaxher i një shoqërie tregtare që ka ushtruar ndikim të paligjshëm.
Mësohet se hetimet për 4 zyrtarët kanë nisur në nëntor të 2020-ës. Shkak u bë një kallëzim i bërë nga personi me inicialet P.B.
Sipas këtij të fundit, punonjësit e Bashkisë dëmtuan biznesin e tij me pretendimin se aty do ndërtohej një lulishte.
Në kallëzim qytetari akuzon punonjësit e Bashkisë së Dimalit se i kanë dëmtuar biznesin e ngritur në një pronë publike të cilën ai e posedonte që prej fillimit të viteve ’90 me justifikimin se do të ndërtohej lulishte, por sipas tij pas prishjes prona i është kaluar nja qytetari tjetër. Më tej në kallëzim thuhet se në atë vend ka nisur të ndërtohet një objekt që sipas kallëzuesit është po ashtu privat dhe jo lulishtja që ishte njoftuar.