-sidi education-spot_img
17.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Qeveria merr në dorë prodhimin e pasaportave

Kryesoret

Pasaportat dhe kartat e identitetit do të prodhohen nga shteti pasi kontrata me kompaninë koncesionare “Aleat” përfundoi. Qeveria ka miratuar vendimin që i jep të drejtë ministrisë së Brendshme që të regjistrojë shoqërinë e prodhimit të pasaportave. Me aksioner të vetëm shtetin, kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë do të jetë 20 milionë lekë. Efektet financiare përballohen nga qeveria. Brenda 30 ditëve do të themelohet shoqëria për të nisur punën.

VENDIMI I PLOTE

  1. Krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi.

  2. Emri i shoqërisë aksionare përcaktohet në aktin e themelimit dhe statutin e saj.

  3. Shoqëria aksionare, sipas përcaktimeve në pikën 1, të këtij vendimi, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.

  4. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 (njëzet milionë) lekë.

  5. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme.

  6. Shoqëria aksionare ofron kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së:

a) letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike;
b) dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare);
c) letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
ç) dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese;
d) çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

  1. Shoqëria aksionare mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj.

  2. Tarifat e shërbimeve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

  3. Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

  4. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:

a) themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare;
b) regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

  1. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.

  2. Ministria e Brendshme i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare çdo të drejtë ose titull të marrë në dorëzim nga koncesionari, sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, datë 21 korrik 2008, e ndryshuar, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 27.8.2008, përfshirë të gjitha pasuritë e krijuara apo të ndërtuara apo të zhvilluara posaçërisht ose të përdorura nga koncesionari dhe/ose punonjësit e tij dhe që i përkasin koncesionarit gjatë periudhës së koncesionit dhe për qëllimin e zbatimit të koncesionit, përfshirë sistemet software dhe hardware dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

  3. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

  4. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit