Drejtori i përgjithshëm i Transportit Rrugor Blendi Gonxhe ka reaguar pas aludimeve ne lidhje me zërat në mediat online se çmimi i patentës do të rritej në 85 mijë lekë të reja.
Përmes një postimi në rrjetin social, ai shprehet se nuk do të ketë as rritje dhe as dyfishim të kostos, por do rritet siguria e mësimdhënies. Gonxhe shton se përmes akteve të reja ligjore, do t’i jepet fund informalitetit dhe evazionit fiskal.
“As rritet e as dyfishohet çmimi i patentës! Eliminohet evazioni fiskal dhe informaliteti në sektorin e Autoshkollave! Nuk rritet asnjë tarifë publike që lidhet me shërbimin dhe lëshimin e Leje Drejtimit!
Goditet fenomeni i sekserëve që kapin kursantë për ti përdorur Autoshkollat si Nipte apo sa për letra, pa u kryer procesi mësimor, duke iu shmangur kurseve në teori e praktikë, në këmbim të një pagese të ulët por të parregullt! Luftohet konkurrenca e pandershme dhe paligjshmëria!
Fiton Siguria Rrugore! Rriten standardet e mësimdhënies në Autoshkolla! Merr dinjitet dhe vlerë aktiviteti dhe misioni i Autoshkollave!”, shkruan Gonxhe.
Drejtori i përgjithshëm i Transportit Rrugor shtoi më tej se kurset gjysmake dhe punësimi në të zezë dhe në mënyrë fiktive është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.