“Anadolu Agency” shkruan se zjarrfikësit turq gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit në Gaziantep, i cili u godit nga tërmetet dorëzuan në polici rreth 2 milionë dollarë. Ata u thanë forcave të rendit se duke gërmuar në vendin e shembur Ayşe-Mehmet Polat gjetën para pranë një personi që nxorën nga rrënojat.
Në momentin që nisën të nxirrnin paratë, zjarrfikësit e filmuan gjithçka në celular dhe i futën tufat e parave në një valixhe të zezë. Të shoqëruar nga skuadrat e operacioneve speciale, ata i dorëzuan paratë tek një stacion policie.
“Ne fillimisht u përpoqëm të shpëtonim jetën e qytetarëve në rrënoja. Më pas aty mbetën mallra të shumta. U gjetën sende me vlerë si automjete, bizhuteri, para. Zjarrfikësit fillimisht shpëtuan jetët dhe më pas dorëzuan sendet me vlerë që u gjetën.
Ndodheshim në një pallat të shembur në qendër të qytetit. Prej aty i dërguam policisë 2 milionë dollarë. Kjo tregon disponimin e zjarrfikësve. Ka pasur shumë incidente të tilla. Ky është vetëm një. Të gjitha gjërat që shohim ne i dorëzojmë në polici. Është ditë solidariteti dhe uniteti” tha ai.