Në Elbasan u parandalua një atentat. Dy persona u arrestuan, por policia nuk ka ende një informacion zyrtar se kush ishte në shënjestër.
Dy personat e arrestuar janë Arsen Preçi dhe Arben Spahiu. Spahiu rezulton se është kunati i Erion Alibejt. Me makinën “BMW X6” pa targa dyshohet se mbrëmjen e të shtunës do të kryhej një atentat me armë zjarri në Elbasan.
Por si u kapën?
Në nisje të operacionit, një ditë më parë, policia gjeti dhe sekuestroi 4 armë zjarri (3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 bidona me lëndë djegëse (benzinë) dhe një automjet, që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e këtij krimi. Pistoleta u gjet në afërsi të një koshi mbeturinash.
Në kuadër të operacionit u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u ushtrua kontroll në ambiente të ndryshme të cilat dyshohej se shërbenin për fshehjen e sendeve dhe mjeteve me të cilat mund të kryheshin veprimtari kriminale.
Personat e dyshuar, për shkak të presionit policor në terren, fshehën automjetin me të cilin qarkullonin, armët e zjarrit, bidonat me benzinë dhe mjete të tjera me të cilat do të kryenin krimin.
Të arrestuarit janë;
Arben Spahiu 53 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”;
Arsen Preçi 44 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.