Nga Dylber Balla
Pas 16 viteve, qeveria shqiptare mori në dorë prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit pasi koncensionarit “Aleat” që ofronte shërbimin nuk iu rinovua kontrata. Opozita ka ngritur dyshime dhe akuza të forta për pasiguri pas historisë së patronazhistëve dhe asaj që po ndodh me aplikacionin “Aktivisti”.
Por çfarë mendon BE? Selia e delegacionit të BE-së në Tiranë tha për “5pyetjet.al” se qeveria shqiptare duhet të zbatojë standarde të forta sigurie pasi janë kyçe për regjimin pa viza duke lënë të kuptohet se Brukseli ka skepticizëm prandaj kërkon informacion për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.
Përgjigja e plotë e ambasadës së BE-së për “5pyetjet.al”
Autoritetet shqiptare janë të lira të zgjedhin çdo ofrues që dëshirojnë për prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit. Çdo ofrues i ri duhet të përmbushë standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO) për sa i përket sigurisë së pasaportave, që përfshin, ndër standardet e tjera, infrastrukturën e përshtatshme, siç janë mjediset e sigurta të stampimit.
Gjithashtu, çdo vend që përfiton nga regjimi i liberalizimit të vizave pritet të zbatojë standardin më të lartë të ekspertizës dhe integritetit në prodhimin e dokumenteve biometrike. Procesi i menaxhimit të identifikimit dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve është me rëndësi shumë të madhe. Presim që autoritetet shqiptare të na informojnë për standardet e sigurisë që do të zbatohen për dokumentet e reja.
Ne jemi të gatshëm që ekspertët e Komisionit Evropian të shqyrtojnë procedurat e lëshimit dhe dokumentet e reja të identitetit që do të prodhohen. Dëshirojmë të kujtojmë se siguria e dokumenteve ishte një nga standartet e përfshira në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, që çoi në regjimin pa viza për qytetarët shqiptarë kur udhëtojnë drejt BE-së që prej vitit 2010. Prandaj është thelbësore që të zbatohen standarte të forta sigurie gjatë prodhimit të këtyre dokumenteve.