Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, ka folur pas marrjes në pyetje nga Prokuroria Speciale, lidhur me çështjen e provave në rastin ‘Dehari’. Abazi ka thënë para gazetarëve se çështja e provave të Astrit Deharit i takon Prokurorisë dhe hetuesisë dhe ai nuk mund të flasë.
“Ashtu siç e ka dhënë deklaratën time në hollin e Kuvendit është çështje e Prokurorisë që të merret më këtë e të realizojë drejtësinë. Nuk mundem më dhëne asnjë informacion mbi këtë çështje, meqë janë çështje të hetuesisë dhe të prokurorisë.
Por, ajo çfarë them unë si deputet edhe si qytetarë i lirë i Republikës së Kosovës, të cilit i garantohet e drejta e fjalës, nuk do të ndalëm pavarësisht limitimeve që mund të ekzistojnë, nga presioni deri në realizimin e të drejtave të mia si deputet dhe si qytetarë në një shoqëri normale”, ka thënë Abazi.
Haki Abazi, deklaroi të enjten janë zbuluar video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Ai kërkoi nga Prokuroria që të marrë në pyetje kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin.