“Nuk kemi dijeni për makinën dhe armët që janë gjetur brenda saj. Nuk e kemi përdorur ne”. Kështu janë shprehur para grupit hetimor dy personat e arrestuar dje në Elbasan për atentatin që mbeti në tentativë pasi u zbulua në minutat e fundit.
Arben Spahiu, i cili është kunati i Erjon Alibej dhe Arsen Preci u arrestuan për makinën me armë dhe municione që u bllokua dy ditë më parë nga policia në Elbasan pranë shtëpisë së Erion Alibejt, që ndodhet në burg i dyshuar për porositje vrasjesh.
Spahiu u arrestua pasi në makinën që u gjetën armët ishin dy mjete identifikuese të falsifikuara greke me identitetin e tij. Gjithçka nisi nga një punonjës i pastrimit të qytetit që gjeti një pistoletë në një kosh mbeturinash dhe që më pas njoftoi policinë, e cila rrethoi zonën dhe nisi kontrollet duke shkuar te makina tip “BMW” që ishte bërë gati për atentat.
Ende nuk dihet se kush ishte konkretisht shënjestra e atentatit, por nga provat e mbledhura deri më tani hetuesit dyshojnë se dy të ndaluarit mund të ekzekutonin Elton Kilën, i njohur ndryshe dhe si Oti i Elbasanit. Emri i tij doli edhe në dosjen e Nuredin Dumanit. Por nuk përjashtohen as pistat që shënjestër të kenë qenë dhe persona të tjerë anëtarë të bandave rivale kriminale që operojnë në këtë qytet.
Arben Spahiu është vëllai i Ardit Spahiut i vrarë në Belgjikë dhe Rigers Spahiut, i kapur në tetor 2022 me një arsenal armësh në Elbasan. Arben Spahiu jeton në të njëjtin pallat ku jeton edhe nëna, motra dhe gruaja e Erjon Alibejt. Ndërsa shtëpia e të arrestuarit tjetër, Arsen Preçi ndodhet vetëm disa metra larg vendit ku u gjet makina BMW X6, brenda së cilës u gjetën 3 kallashnikovë dhe 2 bidonë benzine.