Kolegji i Posaçëm të Apelimit ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke shkarkuar nga detyra gjyqtaren e Durrësit Anita Mici.
Anita Mici u konfirmua në detyrë më 4 gusht 2020, pasi trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin, vlerësoi se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit.
Por roli i Micit për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha nuk u kalua lehtë. Komisioneri Publik e ankimoi vendimin e KPK-së dhe sot KPA e shkarkoi nga detyra.
Çfarë ndodhi në KPK?
Një ndër çështjet për të cilat është u ngrit shkak nga Komisioneri Publik ishte vendimmarrja e Gjykatës së Apelit Durrës lidhur me lirimin e parakohshëm të kreut të ‘Bandës së Durrësit’, Lulzim Berisha, ku gjyqtarja Anita Mici ka qenë në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues.
Më 5 dhjetor 2016, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve të institucioneve të vuajtjes së dënimit që e përshkruanin si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësimin e ofruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, që analizohen edhe në vendimin e KPK, gjykata e Apelit Durrës vulosi lirimin e Lulzim Berishës.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha qëndroi fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh për vepra penale të rënda. Aktualisht ai është në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.