Ndërtimi i 2 hidrocentraleve dhe fabrikës së ujit ka shqetësuar banorët e tre fshatrave, Thirrë, Hebe dhe Snag.
Ata në lidhje me këtë shqetësim kishin hapur një çështje gjyqësorë të cilën ditën e sotme ia dolën të fitojnë për të mos lejuar ndërtimin e dy HEC-ve dhe të një fabrike uji në zonën e Fanit.
Gjykata Administrative në Tiranë pas kërkesës së banorëve shfuqizoi vendimet e miratuara nga institucionet vendore dhe qendrore, për ndërtimin e dy hidrocentraleve dhe të fabrikës së ujit.
Vendimi i gjyqtarit, Gentian Hamiti i ka dhënë të drejtë banoreve që ndodhen në dy shpatet e rrugës së kombit pranë Tunelit të Kalimashit.
Ata kundërshtonin këto projekte duke dalë në mbrojtje të 3 burimeve ujore dhe ekosistemit aty ku jetojnë.
Pas shumë seancash gjykata doli në konkluzionin se këto leje janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke i quajtur të pavlefshme.
Lejet për ndërtimin e HEC-eve dhe fabrikës së ujit në zonën e Thirrës ishin dhënë me 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohej nga kompania “Sang 1” shpk.
Pavarësisht rezistencës së banoreve përmes protestave dhe përplasjeve, deri tani janë kryer gati 50% punimeve.