-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

15 arsye pse mafia shqiptare bën ligjin në Ekuador, kush janë bosët?

Kryesoret

Pas skandalit të ashtuquajtur “Kumbari i Madh”, që përfshin njerëz të afërt me qeverinë ekuadoriane me lidhje të dyshuara me trafikun e drogës, prania e mafies shqiptare në Ekuador është kthyer në një debat publik kohët e fundit. Mediat vendase e kanë hetuar këtë organizatë kriminale që nga viti 2019.

Në këtë përmbledhje, pasqyrohen gjetjet kryesore  në këto vite, bazuar në intervistat me ekspertë, agjentë hetues dhe shqyrtimin e qindra faqeve të dosjeve gjyqësore.

Që nga ardhja e tyre në Ekuador, para rreth 15 vitesh, aleancat me grupet lokale dhe rajonale, si nisën trafikun e drogës, jeta mes luksit, por edhe vrasjeve, deri te personazhet që u bënë të njohura në botën kriminale madje edhe në Shqipëri, si Dritan Rexhepi apo Arbër Çekaj.

1.Kur erdhën shqiptarët në Ekuador?

Sipas ekspertëve të konsultuar, nuk është e mundur të përcaktohet një vit specifik i ardhjes së grupeve kriminale të shqiptarëve në vendin amerikanolatin.

Por ata sigurojnë se për dhjetë vjet, këto grupe i janë afruar Amerikës Latine të tërhequr nga biznesi i drogës dhe duke krijuar lidhje me grupet kolumbiane që e ofrojnë atë.

Ekuadori, duke qenë një vend fqinj me Kolumbinë, është konsideruar shumë shpejt si një alternativë për zhvillimin e trafikut të drogës.

Kohët e përcaktuara nga hetuesit, 2008-2009, përkojnë me ardhjen se kush u bë trafikanti kryesor i drogës në Shqipëri.

Sipas një investigimi mes medias ekuadoriane “Plan V” dhe OCCRP, shqiptari Arbër Çekaj regjistroi hyrjen e tij të parë në Ekuador në vitin 2009.

Çekaj, i cili u prezantua si tregtar bananesh, vizitoi Ekuadorin deri në vitin 2015, vit në të cilin u gjykua për trafik droge në vendin e Amerikës së Jugut.

Por shqiptari vazhdoi të udhëtonte drejt Ekuadorit, pavarësisht procedimit penal, derisa u arrestua në vitin 2018 në Gjermani, për futjen e ngarkesës më të madhe të kokainës në Shqipëri, sipas një hetimi.

2.Pse erdhën në Ekuador?

Largimi i amerikanëve nga porti detar i Mantas, midis 2008 dhe 2009, mund të jetë një nga shkaktarët, sipas ekspertëve.

Manta është një nga portet kryesore të Ekuadorit. Nga ajo bazë, prej 10 vitesh kryheshin operacione për kontrollin e trafikut të drogës.

Ky fakt lehtësoi ardhjen e strukturave kriminale për të zhvilluar aktivitetin e tyre, pa presion nga Shtetet e Bashkuara.

Për më tepër, 2008 dhe 2009 ishin vite kyçe për Ekuadorin dhe për rajonin në lidhje me biznesin e trafikut të drogës dhe kjo ishte një portë për grupet në Ballkan, Lindjen e Mesme dhe Azi, thanë hetuesit.

Një tjetër fakt i rëndësishëm që mund të kishte inkurajuar ardhjen e tyre, do të ishte përfshirja e konceptit të shtetësisë universale në Kushtetutën e Ekuadorit në 2008.

Kjo lejoi që kërkesa për viza turistike të hiqej deri në 90 ditë për qytetarët e të gjitha vendeve. Qytetarët shqiptarë kishin hyrje të lirë deri më 24 gusht 2022, datë në të cilën Ekuadori rivendosi vizat.

Gjuha, një tjetër avantazh

Një burim sekret kundër narkotikëve, shpjegoi se gjuha është një tjetër avantazh në rastin e shqiptarëve.

Për shkak të situatës gjeografike dhe historike, italishtja është dominuese dhe për këtë arsye, për shqiptarët është e lehtë të mësojnë spanjisht.

Ky ishte rasti i Arbër Çekajt, i cili bënte biznes në Ekuador për të eksportuar banane në Shqipëri dhe ku trafikonte kokainë.

Një menaxher ferme që e takoi në Guayas, tha se ai fliste perfekt spanjisht. Një tjetër prokuror ekuadorian, i cili ka kryer disa hetime ku përfshihen shqiptarë, konfirmoi se ata flasin shumë mirë spanjisht, por e nohoi faktin kur iu mor një deklaratë në Prokurori.

Dritan Rexhepi një tjetër shqiptar i kapur në Ekuador dhe i kërkuar në tre vende evropiane, flet shqip, rusisht dhe rrjedhshëm spanjisht.

Përdorin identitete të shumta

Por përveç vendndodhjes gjeografike, Ekuadori ka karakteristika të tjera që e bëjnë tërheqës për krimin e organizuar në Ballkan dhe rajone të tjera. Për shembull, mungesa e kontrollit kufitar, ligjet e dobëta dhe lehtësia e ndryshimit të identitetit dhe blerjes së dokumenteve false, si kartat e identitetit dhe pasaportat.

Disa emisarë nga Ballkani jetojnë në Ekuador dhe të tjerë largohen dhe hyjnë vazhdimisht në vend. Ata mund të përdorin dy ose më shumë emra për të hyrë.

Ata njihen për falsifikimin e lehtë të identitetit të tyre në Ballkan. Pra, kur ndalohen në Ekuador, sanksionohen me emrat e tyre të rremë, tha një burim kundër narkotikëve.

Në mënyrë të ngjashme, zyrat e imigracionit në Ekuador nuk kanë kapacitet për të identifikuar nëse emri në një pasaportë është i rremë. “Ekuadori është një nga vendet e pakta që nuk ushqen një bazë të dhënash me hyrjen e vizitorëve, me gjurmët e gishtërinjve dhe fotografitë e tyre”, tha i njëjti burim.

Përfitojnë nga korrupsioni në gjyqësor

Një tjetër faktor që ka nxitur ardhjen e shqiptarëve në Ekuador, është korrupsioni i sistemit gjyqësor.

Ka pasur raste të gjyqtarëve që refuzojnë të kalojnë teste të besuara si poligrafi apo rishikimi i pasurive të tyre.

Depërtimi i grupeve kriminale në sistemin e drejtësisë i sjell përfitim krimit duke ulur dënimet apo thjesht duke mos i dënuar.

Një shembull i tillë ndodhi në nëntor 2018, kur një shqiptar dhe një grek u arrestuan në një operacion antinarkotik në bregdetin e Ekuadorit.

Të dy u akuzuan për trafik droge së bashku me katër ekuadorianë të tjerë. Gjykata e Parë e Garancive Penale të provincës bregdetare të Santa Elenës dënoi ekuadorianët, por liroi shqiptarin dhe grekun. Vendimi u ankimua nga Prokuroria që i hetoi.

Një tjetër rast, ka ndodhur në vitin 2014. Në atë vit u zhvillua operacioni Ballkanik, një nga kryesorët kundër këtyre grupeve kriminale.

Tetë ekuadorianë, dy shqiptarë dhe një kosovar u kapën. Ajo organizatë u akuzua se ruante sasi të mëdha droge në Guayaquil për t’i dërguar ato në Evropë. Por kosovari, i cili quhej Remzi Azemi, u lirua një muaj pasi u arrestua në Ekuador.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në vitin 2020, në burgjet e Ekuadorit kishte vetëm katër të burgosur nga Ballkani: një shqiptar dhe tre serbë.

Shqiptari ishte Dritan Rexhepi, “Mbreti” i kokainës në Europë, i arratisur tashmë dhe i rrezikshëm, i kërkuar nga Interpoli në tre vende evropiane, i cili u lirua para kohe nga burgu në vitin 2021, me bashkëpunimin e sistemit gjyqësor.

Dollarët dhe pastrimi i parave

Pastrimi i parave është një tjetër nga aktivitetet e mafies. Në qershor 2016, dy shqiptarë u ndaluan në aeroportin ndërkombëtar “José Joaquín de Olmedo” në Guayaquil.

Ata kishin 350.615 euro në kartëmonedha 500 euroshe, që nuk ishin deklaruar në doganë.

Paratë u zbuluan në një kontroll rutinë që iu bë pasagjerëve të një fluturimi nga Madridi, Spanjë. Sasia e tyre ishte e fshehur në tre valixhe.

Shqiptarët nuk arritën të justifikonin origjinën e eurove, ndaj u arrestuan. Prokuroria i akuzoi ata për veprën penale të pastrimit të parave, e cila parashikon dënime nga 10 deri në 13 vjet burg në Ekuador.

7.Qytetet portuale, qendrat e tyre të veprimit

Nga informacionet e operacioneve të Policisë Ekuadoriane, konstatohet se anëtarët e mafies në Ballkan, veçanërisht të asaj shqiptare, mbërrijnë në qytetet që kanë porte.

Guajakil është një nga më kryesorët. Për shembull, në operacionin “Ballkani”, në qershor 2014, aty u arrestuan 11 persona, mes të cilëve ekuadorianë, shqiptarë dhe një kosovar.

Në një rast tjetër, në maj 2019, një bandë e drejtuar nga një shqiptar u ndalua në provincën bregdetare të El Oro.

Por ata mbërrijnë në Guayaquil jo vetëm të tërhequr nga porti, por edhe nga aeroporti ndërkombëtar, të cilin e përdorin edhe për të transportuar drogë, edhe pse në sasi të vogël.

8.Ekspertë në ndërhyrjen e kontejnerëve

Midis 2014 dhe 2019, modusi i tyre kryesor, ka qenë ndërhyrja në kontejnerë me produkte legale që nisen nga portet e Ekuadorit me kokainë.

Por së pari, ata e ruajnë drogën në qytete pranë porteve të Ekuadorit dhe e transportojnë me automjete që zakonisht kanë ndarje të dyfishta të fshehura.

Droga që del jashtë vendit, ka mbështjellës karboni për të shmangur zbulimin dhe gjithmonë ka logo që lidhen me organizatën kriminale që zotëron ngarkesën.

Modalitetet janë të ndryshme për ndërhyrjen në kontejnerë: në të njëjtin port, në fermat prodhuese ose rrugës për në port.

“Shqiptarët e kanë studiuar shumë mirë këtë, e dinë se si bëhet dhe si funksionojnë në mënyrë perfekte dërgesat”, tha burimi policor.

Bashkëfajësia e zyrtarëve të portit, është një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të tyre kriminale në Ekuador. Janë ata që japin informacionin për destinacionet e kontejnerëve ose ndihmojnë në futjen e dërgesave.

9.Kanë kapacitete të mëdha financiare

Për prokurorët dhe studiuesit akademikë, bandat nga Ballkani janë struktura komplekse, me aftësi teknologjike dhe fuqi të mjaftueshme ekonomike për të kryer biznesin e tyre në Ekuador.

Janë grupe të forta dhe familjare, gjë që e bën të vështirë depërtimin në atë strukturë. Ata njihen gjithashtu për dhunën dhe ftohtësinë e tyre në vrasje kur tradhtohen.

Por ata gjithashtu investojnë në letra me vlerë. Sipas prokurorëve të konsultuar, këto grupe kriminale marrin me qira shtëpi apo apartamente në zona urbane private, të cilat u ofrojnë shërbime survejimi.

Përveç kësaj, ata kanë një rrjet mbulimi për aktivitetet e tyre. Kjo është e mundur falë kapacitetit të tyre të fortë financiar për të paguar drogën, ekuadorianëve që i ndihmojnë ata të mbledhin dhe dërgojnë pako të paligjshme dhe personelit që punon në porte ose kompanitë e transportit që filtrojnë informacionin për destinacionet e anijeve.

Një burim i Anti-narkotikëve, komentoi se kjo mafie, ka paguar gjyqtarët ekuadorianë për t’u liruar nga procedimet ligjore për trafik droge.

10.Një jetë plot luks

Prokurorët ekuadorianë që kanë hetuar mafiozët ballkanikë në Ekuador, janë dakord që emisarët që ata dërgojnë në këtë vend, jetojnë në luks.

Prokurori César Peña, i tha “Plan V” në një hetim të vitit 2019, se shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës paraqiten si biznesmenë dhe investitorë.

Gjithashtu, ata kalojnë kohën e tyre në palestra dhe kanë komoditete që nuk e justifikojnë veten.

Frekuentojnë hotelet luksoze ose shkojnë në bare të shtrenjta. Marrin para përmes transfertave bankare dhe menaxhojnë shuma të mëdha.

Ata nuk kanë asete në vend, por marrin me qira shtëpi me të gjitha sigurinë në sektorë me vlerë të lartë të shtuar. Shembull i luksit të tillë, është historia e kosovarit Remzi Azemi, i cili ishte i lidhur me shqiptarët.

Ai po udhëtonte në Guayaquil me një automjet “Ford Explorer” ngjyrë kafe, vlera e të cilit arriti në 90,000 dollarë.

Në vitin 2017, ai pësoi një sulm me armë, duke u plagosur, teksa drejtonte atë makinë dhe pas disa muajsh u largua nga Ekuadori.

11. Ata enkriptojnë komunikimet e tyre

Një aspekt tjetër që ata kanë zhvilluar vitet e fundit, është përdorimi i komunikimeve të koduara.

Në vitin 2014, Policia e Ekuadorit përgjonte mesazhe me të cilat akuzonte një bandë të drejtuar nga një serb.

Por në vitin 2019, në një tjetër hetim, nuk ishte e mundur të bëhej e njëjta gjë. Një prokuror tregoi zhgënjimin e oficerëve të policisë, që gjetën aplikacione mesazhesh që kishin fshirë mesazhet në celularët e sekuestruar nga një bandë e drejtuar nga një shqiptar dhe një grek. Kjo i kufizoi hetimet.

12.Trafiku i drogës dhe vrasësit në Ekuador

Operacionet kryesore të policisë kundër këtyre mafiozëve, kanë qenë për trafik droge. Në Ekuador janë kryer katër operacione të rëndësishme kundër këtyre grupeve evropiane.

Bëhet fjalë për “Operación Balkanes”, “Oro Blanco”, “Impacto 444” dhe “Avalancha 258”, të cilat u zhvilluan mes viteve 2014 dhe 2019.

Në këto aksione policore, janë sekuestruar gjithsej 1200 kilogramë kokainë me destinacion Evropën dhe Australinë.

Nga ana tjetër, këto grupe janë shoqëruar me raste të atentateve apo vdekjeve të dhunshme. Krahas vrasjes së Kacanic, e cila ishte më e publikuara nga shtypi, pati një tjetër rast në vitin 2016.

Më 31 maj të atij viti, shqiptari Ilir Hidri, 39 vjeç, u qëllua për vdekje në një periferi të Guayaquil. Sulmuesit kanë hyrë në shtëpinë e tij për të marrë para, sipas prokurorit që ka hetuar rastin.

Në vitin 2020, shqiptari Adriatik Tresa u vra në Daule nga disa burra që hynë në shtëpinë e tij të veshur si policë. Në atë kohë, autoritetet bënë me dije se ngjarja kishte lidhje me trafikun e drogës.

Ndërsa Ergys Dashi me origjinë nga Durrësi, u vra me armë zjarri në Ekuador në restorantin “Grilling”, në “Avenue José Joaquín Orrantia”, në veri të Guajakilit në 22 janar 2022.

13.Lidhje të forta lokale

Mafiet ballkanike, duke qenë struktura të krimit të organizuar, duhet të bëjnë aleanca me krimin vendas. Marrëdhënia e tyre me mafien ka qenë në ndërtim e sipër prej vitesh.

Ata janë emisarë që vijnë nga një vend në tjetrin, bëjnë kontakte, vendosin logjistikën dhe arrijnë marrëveshje.

Shqiptarët, tha një burim kundër narkotikëve, trashëgojnë kontaktet e kolegëve të tyre që vijnë në Amerikën e Jugut.

Ndër detyrat që u janë caktuar ekuadorianëve, është siguria e ngarkesave, transporti dhe futja e drogës në kontejnerë me bashkëpunimin e zyrtarëve të portit.

Por ekuadorianët nuk janë të punësuar vetëm si punëtorë. Ka edhe partneritete mes mafies shqiptare me dhe asaj ekuadoriane, që kanë arritur aftësi pagese të konsiderueshme ekonomike përmes trafikut të drogës.

Për shembull, ata mund të ndajnë blerjen dhe të ardhurat nga një ngarkesë prej 500 kilogramësh kokainë, tha një agjent kundër narkotikëve. Është parë edhe marrëdhënia e saj me klanet familjare që prej vitesh merren me këtë biznes.

14.Emisarë të mafies italiane dhe lidhje me Venezuelën

Nga eksperienca e agjentit antinarkotik të intervistuar, mafia shqiptare – e cila është kombësia kryesore që vjen në Ekuador nga Ballkani – mbërrijnë si emisarë të mafies italiane si Ndrageta (Kalabri) dhe “Camorra” (Napoli) dhe nga vende të tjera evropiane si Greqia.

Emisarët që mbërrijnë zakonisht u përkasin drejtuesve të mesëm në vendin e tyre të lindjes, por në Ekuador ata ndryshojnë statusin e tyre në drejtues të grupit kriminal.

Këta emisarë, ruajnë kontaktet e tyre me rrjetin kriminal në Ballkan. “Këta njerëz vijnë me një mision dhe ai sponsorizohet dhe udhëhiqet nga njerëzit në këto vende destinacioni në Evropë”, tha burimi i policisë.

Ata komunikojnë me shefat e tyre, marrin këshilla dhe përmirësojnë proceset e trafikut. Ndoshta kjo është arsyeja pse ata janë treguar diskretë me celularët e tyre, ku është lista e kontakteve.

Për shembull, Dritan Rexhepi, i kërkuar nga Interpoli në tre vende evropiane, hodhi telefonin në tokë dhe nxori jashtë funksionit kartën për të humbur kontaktet e tij.

Kjo ndodhi në oborret e Shtabit Kundër Narkotikëve në Guayaquil. Në mënyrë të ngjashme, disa ekspertë të konsultuar, besojnë se ka shumë të ngjarë që mafiet nga Ballkani të jenë të lidhura me Venezuelën për trafikun në Evropë.

15.Personazhet e mafies shqiptare në Ekuador

Më 26 qershor 2014, për të çmontuar një organizatë të përbërë nga shqiptarë, kosovarë dhe ekuadorianë, një nga të arrestuarit ishte shqiptari Dritan Rexhepi, i cili fillimisht u identifikua si Edmir Kraja dhe më pas si Lulzim Murataj, një kriminel i kërkuar në tre vende evropiane. Me identitete të rreme ka mbërritur në Ekuador me rrugë ajrore.

Arrestimi i tij ishte një nga goditjet më të mëdha për atë organizatë mafioze në Ekuador. Kapja e tij madje u theksua nga Interpoli, i cili e quajti atë një “të arratisur të rrezikshëm”.

Ai ka lindur më 10 prill 1980. Sipas Policisë, ai kishte tre njoftime të kuqe dhe kërkohej ndërkombëtarisht të vuante dënimin në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë.

Në Itali ai kërkohej për trafik droge, në Belgjikë për grabitje të rëndë dhe në Shqipëri për vrasje, posedim dhe prodhim armësh luftarake.

Pasi u arrestua në “Operacionin Ballkani”, ai u dënua me 13 vjet burg. Ishte i vetmi i kombësisë shqiptare që ishte në një burg ekuadorian deri në vitin 2021 kur u lirua para kohe.

Miklovan Kajtazi: më 13 nëntor 2018, ai u kap në bashkëpunim me Policinë Greke Kundër Narkotikëve në operacionin “Impact 444”.

Ndryshe nga operacioni në Ballkan, u zbulua se kjo organizatë ndërkombëtare po dërgonte sasi të mëdha droge përmes korridorit të Paqësorit me destinacion shtetet baltike dhe Australinë.

Një shqiptar dhe një grek drejtuan operacionet në Ekuador me një tjetër modalitet. Në një varkë me vela, kanë fshehur 332 pako kokainë, me peshë 382 kilogramë. Droga do të dërgohej në Australi nga qyteti bregdetar i Salinas, i vendosur 138 km nga Guayaquil.

Greku quhej Georgios Liosis dhe shqiptari, Miklovan Kajtazi, i cili i lirua pak më vonë. Në Greqi, të dy kishin lidhje me drejtuesit më të lartë të një organizate ndërkombëtare, të cilët u arrestuan në të njëjtën kohë me tre të tjerë në Ekuador. Ata ishin grekët Vasilios Spiridonakos dhe Apostolos Liosis, si dhe shqiptari Ilia Papa.

Në fakt, Georgios Liosis, është vëllai i Apostolos Liosis. Për arrestimin e këtij grupi, policia greke infiltroi ​​një agjent të saj në bandën kriminale.

Arbër Çekaj: ai konsiderohet si një nga trafikantët kryesorë shqiptarë të drogës, i cili vizitoi Ekuadorin prej vitesh për të mbikëqyrur drejtpërdrejt biznesin e tij.

Një hetim i përbashkët midis “Plan V” dhe Projektit të Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), zbulon se shqiptari – i përkushtuar për importimin e bananeve nga Ekuadori dhe Kolumbia – vazhdoi biznesin e tij deri në vitin 2018, pavarësisht se kishte një gjyq dhe një urdhër arresti ndaj tij.

Çekaj kapet në Ekuador nga viti 2015, i akuzuar për trafik droge përmes importit të bananeve. Megjithatë, gjatë tre viteve të tjera, ai bëri gati 140 dërgesa të frutave në të njëjtën rrugë.

Pas ekstradimit nga Gjermania, Gjykata e Posaçme në Shqipëri e dënoi me 14 vjet burg për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike./ GazetaSi

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit