Punonjësit e shërbimeve komunale dhe shoferët e trenave janë mes atyre që u larguan nga puna sot në të gjithë Francën për të shprehur zemërimin e tyre ndaj një projektligji që rrit moshën e pensionit në 64 vjeç, të cilin sindikatat e shohin si një kërcënim më të gjerë për modelin social francez.
Më shumë se 250 protesta priten në Paris dhe në mbarë vendin, në atë që organizatorët shpresojnë të jetë shfaqja më e madhe e forcës kundër ligjit të propozuar nga Presidenti Emmanuel Macron.
Projektligji është duke u diskutuar në Senatin francez këtë javë.
Sindikatat kanë kërcënuar të bllokojnë ekonominë franceze me ndërprerje të punës në shumë sektorë, si greva pa afat e sektorit kombëtar hekurudhor.
Udhëtarët hipën në një nga trenat e rrallë, që niseshin për në Paris nga periferitë jugore. Qeveria inkurajoi njerëzit të punojnë nga shtëpia nëse punët e tyre e lejojnë një gjë të tillë.
“Nuk ka shumë trena, është mjaft e ndërlikuar për ata që duhet të shkojnë në punë, sidomos kur jeton larg, por gjithashtu e kuptoj që njerëzit janë mërzitur duke punuar gjithnjë e më shumë”, thotë Valerie.
Pavarësisht ndërprerjes, shumë udhëtarë mbështesin grevat e hekurudhave.
“Fatkeqësisht në Francë është gjithmonë njësoj. Duhet të kemi greva, ose demonstrata për të ruajtur të drejtat tona,” tha një udhëtar në stacionin Gare Saint Lazare të Parisit.
Një e pesta e fluturimeve u anuluan në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit dhe rreth një e treta e fluturimeve në aeroportin Orly.