Sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri zhvilloi paraditen e sotme një takim me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim në selinë socialiste.
Numri dy i PS-së në një postim në Facebook thekson se biseda u fokusua te zgjedhjet lokale të 14 Majit.
“Pata kënaqësinë të mikprisja në selinë e Partisë Socialiste ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë zonjën Yuri Kim.
Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit.
E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme” shkruan ai.