Sali Berisha dhe grupi i tij në selinë blu kujtuan sot me një aktivitet 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit. Ish-kryeministri tha se Azem Hajdari ishte frymëzim për çdo shqiptar dhe madje u shndërrua në një avokat edhe të Kosovës dhe lirisë së saj.
“Sot, Azem Hajdari është frymëzim për çdo shqiptar. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të mos kuptosh, të mos ndjesh, të mos reagosh ndaj të keqes që pushton gradualisht të gjithë qenien tënde.
Azem Hajdari, lëvizja studentore, solli pluralizmin dhe themeloi PD-në. Njëkohësisht solli në qendër jo vetëm lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si kombi më i shtypur i planetit, por edhe çështjen kombëtare, e tradhtuar dhe injoruar tërësisht nga Tirana zyrtare.
Ai u shndërrua në një avokat të pamposhtur të vlerave në të cilat besonte. U shndërrua në një avokat të pamposhtur të lirive dhe të drejtave njerëzore në Shqipëri.
U shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj. Ekzekutimi i Azem Hajdarit ishte hakmarrja më primitive e bijve të etërve, pushtetin e të cilit ai përmbyti” tha ai.