Dy TECt-et lundruese që janë ankoruar në gjirin e Vlorës që në fillim të shtatorit të vitit 2022 ende nuk prodhojnë energji elektrike edhe pse qeveria shqiptare dhe KESH do të paguajë 68 milion dollarë për ta.
Kjo pagesë do bëhet edhe sikur këto dy TEC-e, me emrat “Tigri 1” dhe Tigri 3”, mos të vihen kurrë në funksionim.
Ministrja Balluku deklaroi në dhjetor të vitit 2022 se në janar dhe shkurt të vitit 2023 tecet do viheshin në funksionim, ama dicka e tillë ende nuk ka ndodhur.
Për momentin dy tecet nuk vihen në funksionim sepse kaskadat e hidrocentraleve janë plot dhe Shqipëria nuk ka nevojë për energjinë e tyre.
Ato u blenë në kulmim e krizës energjetike në Marsin e kaluar por arritën në Shqipëri vetëm në Shtator të vitit 2022. Pra ishin një zgjidhje e vonuar për një urgjencë imediate.
TEC-et që nuk punojnë, por i paguajmë mbi 90 mijë euro në ditë
Në fakt ka shumë mundësi që këto tece mos të vihen kurrë në punë jo thjesht sepse Shqipëria sot nuk ka nevojë për to por sepse kosto e prodhimit të energjisë së tyre është shumë më e lartë sesa kosto e energjisë elektrike sot në bursë.
TEC-et lundruese prodhojnë energji elektrike duke djegur rreth 600 ton naftë të rëndë në ditë, për pasojë kosto e prodhimit të energjisë nëpërmjet tyre është jo vetëm më e lartë se energjia në bursë por edhe shumë më e lartë se kosto e energjisë diellore.
Pa përmendur këtu koston katastrofale që ka djegia e mijërave ton naftë në ndotjen e gjirit të mrekullueshëm të Vlorës. Nëse vihen në punë për dy vite, sic parashikon kontrata, tecet lundruese do djegin qindra mijëra ton naftë të rëndë (mazut) në bregdetin e Vlorës.
Janë tece të vjetëra që nuk kanë asnjë certifikim ambiental nga institucione ndërkombëtare. Deklaratat e Ministres Balluku se tecet lundrues janë të sigurta sepse kanë certifikim ambiental nga Banka Botërore u përgënjeshtruan pak kohë më parë nga ky institucion.
Kemi të bëjmë me një situatë sa absurde edhe skandaloze ku shteti shqiptar del vetëm me humbje. Nëse TEC-et vihen në punë shteti shqiptar humbet miliona euro sepse prodhon energji mbi koston e tregut.
Kosto totale e prodhimit të energjisë elektrike nga këto dy tece për dy vite do ishte 336 milion euro dhe përëri nuk do mbulonin dot të gjithë nevojat energjitike në kohë krize.
Imagjinoni se cfarë investimesh madhore mund të bënte KESH dhe shteti shqiptar me 336 milion euro për të prodhuar energji të pastër diellore apo ere, në vend që të blente dhe të fuste në punë dy tece të vjetra nafte.
Ndërkohë nëse tecet lundruese do funksiononin pa pushim për dy vite rrjesht djegia e qindra mijërave tonelata nafte të rëndë (mazut) do prodhonte një ndotje po aq të rëndë për gjirin e Vlorës dhe turizmin e saj.
Pa përmendur rreziqet e aksidenteve dhe rrjedhjes së naftës në det që janë të natyrshme po të kemi parasysh se kemi të bëjmë me dy tece lundruese sa të shëmtuar aq edhe të vjetër.
Nga ana tjetër nëse tecet nuk vihen kurrë në punë, sic është në fakt e llogjikëshme, përsëri shteti shqiptar humbet pasi duhet ti paguajë 68 milion dollarë kompanisë Excelerate Energy nga e cila ka blerë këto tece.
Pa llogaritur paratë e haraxhuara për ndërtimin e portit ku tecet u ankoruan. Mbetet një mister i madh se si shteti shqiptar nënshkruan një kontratë ku paguan një shërbim edhe kur ai nuk ofrohet.
Kemi të bëjmë me një tjetër skandal të qeverisjes Rama ku është vështirë të dallosh ku fillon paaftësia dhe rrumpalla administrative dhe ku mbaron korrupsioni.
Si ka mundësi që qeveria Shqiptare një emergjencë energjetike në Mars të vitit 2022 e zgjidh me blerejen e teceve me naftë që mund të vihen në punë vetën në vitin 2023 kur emergjenca ka mbaruar?
Si ka mundësi që pas skandalit të TEC-it të naftës ekzistues në Vlorë, që u ndërtua gjatë qeverisjes Berisha në vitin 2011 me financimin e Bankës Botërore, qeveria Rama na sjell dy tece të tjera me naftë po në gjirin e Vlorës?
Ne prej vitesh kemi një TEC nafte në Vlorë që na kushtoi 120 milion euro dhe nuk u vu në punë asnjë ditë sepse kosto e prodhimit të energjisë nga ai është më e lartë se ajo e bursës, ndërkohë që shteti ynë vazhdon të harxhojë miliona euro cdo vit për mirëmbajtjen e tij.
Por edhe sikur të vihej në punë TEC-i i ndërtuar nga qeveria Berisha dhe Banka Botërore do prodhonte mjaft ndotje për gjirin e Vlorës.
Si ka mundësi që qeveria Rama duke e njohur skandali i TEC-it ekzistues në gjirin e Vlorës vendos të sjellë aty dy tece të tjerë nafte, edhe më të vjetër edhe më të lodhur se teci ekzistues?
Nga buron fiksimi i qeverive tona për të sjellë tece me naftë në gjirin e mrekullueshëm të Vlorës, sidomos kur mungon tërësisht llogjika ekonomike dhe ambientale që justifikon ndërtimin dhe blerjen e tyre?
Ajo që e bën akoma më të rëndë skandalin e rradhës të qeverisë Rama është fakti se ashtu sikurse në rastin e TEC-it të Vlorës gjatë qeverisjes Berisha edhe këtë rradhë kishte shumë zëra nga shoqëria civile dhe nga ambientalistët që e paralajmëruan skandalin e teceve lundruese.
Vetëm tek faqja mjedisi.al e ambientalistit të njohur Lavdosh Ferruni ka dhjetëra shkrime që e kanë denoncuar aferën e teceve lundruese prej kohësh.
Fatkeqësisht askush nuk i dëgjon këto zëra në hapësirën tonë politike dhe mediatike ku transmetohet 24 orë cirku Rama-Berisha-Meta-Alibasha. Qeveria Rama prej kohësh i ka mbyllur veshët dhe sytë përballë shoqërisë civile.
Opozita është shumë e zënë me denoncimin e shkatërrimit që Rama po i bën Amerikës për tu marrë me dëmin që qeveria e tij po i bën Shqipërisë. Media, nga ana tjetër, është transformuar në një zgjatim të sherrit politik brenda dhe jashtë opozitës ndaj nuk ka as kohë dhe as kapacitete për të pasqyruar problemet reale të vendit.
Ndaj sot sodisim dy tece të shëmtuara nafte që janë ankoruar në gjirin e bukur të Vlorës. Dje ky gji kish një tec nafte që nuk funksiononte, të ndërtuar nga qeveria Berisha.
Sot ka edhe dy tece të tjera nafte që nuk funksionojnë, edhe më të vjetër edhe më të shëmtuar, dhuratë nga qeveria Rama. Asnjëri nga këto tece nuk punon, dhe nuk duhet të punojë, edhe pse kanë kushtuar qindra miliona euro.
Dje qeveria Rama harxhoi miliona euro për të ndërtuar inceneratorë me naftë që nuk djegin plehra por i groposin ato. Sot ka blerë dy tece lundruese me naftë që nuk prodhojnë dhe nuk duhet të prodhojnë energji elektrike.
Si ka mundësi që qeveritë dhe politikanët tanë bëjnë vazhdimisht po të njëjtat gabime dhe po të njëtin korrupsion?