Rrjeti po “kryqëzon” deputetin e e PS-së Toni Gogu pasi ka bërë një postim në Facebook ku e quan Hajredin Pashën, hero të dibranëve.
Duke postuar këngën e famshme mbi betejen e Gjoricës të popullit të Dibrës dhe Matit kundër forcave pushtuese osmane, Gogu shkruan se Hajredin Pasha ishte hero i këtyre trevave.
Një postim i tillë ka ngjallur jo pak reagime në rrjetet sociale nga banorë të zonës duke bërë Gogu të ndryshonte tekstin, por nuk i ka shpëtuar një screen shoti duke fiksuar kështu një gabim të tillë të një deputeti të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kush ishte Hajredin Pasha?
Hajredin Pasha është një komandant Osman, i cili ishte ngarkuar ndër të tjerë me shtypjen e kryengritjes së shqiptarëve në vitet 1843-1844.
Kryengritja shpërtheu në të gjitha trevat shqiptare në Kosovë, ato që gjenden sot në Maqedoninë e Veriut dhe në veri të Shqipërisë kundër reformave të reja të imponuara nga Perandoria Osmane. Këta të fundit e shtypën me forcë këtë kryengritje, ndërsa dibranët dhe matjanët luftuan heroikisht me burra dhe gra në luginën e Drinit duke i shkaktuar humbje të mëdha forcave osmane.
Në fund kryengritja u shtyp, por pavarësisht kësaj, Porta e Lartë vendosi që për 50 vite të mos i merrte nizamë të rinjtë e kësaj zone.