Gjermania e ka bërë të qartë sot se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale të parakohshme që do të mbahen në katër komunat në veri të vendit, nuk do të ketë krijim të Asociacionit.
Kështu është shprehur zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në shtetin fqinj, Carsten Meyer-Wiefhausen nga Beogradi.
Siç raportojnë mediat në Serbi, Meyer-Wiefhausen e ka sqaruar se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është i mundur nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale që Kosova planifikon t’i mbajë në katër komuna në veri të Kosovës, nuk janë dorëzuar.
Carsten Meyer-Wiefhausen është shprehur se kjo është një çështje krejtësisht praktike.
“Nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një komunitet komunash. Pa njerëz në to, nuk keni institucione, Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është,” është shprehur diplomati gjerman.
Ndërkohë, afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna në veri të Kosovës në fund të muajit prill ka skaduar sot.
Lista Serbe nuk ka paraqitur listën e kandidatëve dhe për rrjedhojë ajo nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.