Nesër nis muaji i Ramazanit. Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët.
Ai uron që të jetë muaji i faljes, begatisë dhe mirëkuptimit me njëri-tjetrin. Spahiu fton gjithashtu besimtarët që të jenë më solidarë me familjet në nevojë dhe t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira.
“Të dashur qytetarë motra dhe vëllezër. Nesër është dita e parë e muajit të bekuar të muajit të Ramazanit. Me këtë rast, ju përcjell urimet më të sinqerta që ky ramazan të jetë muaji i faljes, i begatisë, i mirëkuptimit të ndërsjellë me njëri-tjetrin, muaji i ngritjes morale dhe shpirtërore për përballimin me sukses të çdo vështirësie që kemi.
Gjatë Ramazanit ju ftojmë që të jeni më solidar me familjet në nevojë, t’i shtrojmë dorën njëri-tjetrit në punë të mira. Të nderuar besimtarë, çdo gjë gjatë këtij muaji ka vlerë shumëfish prandaj njerëzit, përmes sakrificave të shumanshme personale synojnë të lartësohen shpirtërisht dhe të afrohen më shumë me Zotin.Gjithashtu ky muaj është i veprave të bamirësisë që impaktojnë të gjithë anët e shoqërisë.
Të lëmë anash mospajtimet, mëritë dhe egoizmin dhe të synojmë që të arrijmë vetëm kënaqësinë e Zotit me harmoninë me njerëzit. Uroj që ky të jetë muaji i faljes për ne. Më lejoni t’ju dëshiroj një agjërim të lehtë, pranim të lutjeve tuaja, shëndet të mirë, lumturi dhe prosperitet për ju dhe familjet tuaja.”, tha Spahiu.