Incidentet teknologjike janë po aq të rrezikshme sa fatkeqësitë natyrore të tilla si tërmetet përmbytjet, shpërthimi i digave dhe si të tilla duan ekipe emergjencë në dispozicion.
Ministria e Mbrojtjes, e cila ka nën mbikëqyrje Agjencinë e Mbrojtjes Civile në një prononcim për “Monitor” renditi incidentet teknologjike rrezikun më të madh pas shpërthimit të digave dhe me efekt të njëjtë me përmbytjet (shiko grafikun bashkëngjitur).
Dy vitet e fundit Shqipëria ka pësuar një seri sulmesh kibernetike, ku të dhëna sensitive të qytetarëve u publikuan masivisht.
Ministria e Mbrojtjes sqaroi se risqet më kritike nga fatkeqësitë, të cilat kanë një potencial të lartë për ndikim negativ në zhvillimin e vendit renditen: përmbytjet, rreziqet teknologjike, sëmundjet infektive, të pasuara nga rrëshqitjet e tokës dhe tërmetet dhe zjarret.
Përmbytjet janë një ndër fatkeqësitë natyrore që ndodhin më shpesh në Shqipëri. Për një periudhë kthimi prej 100 vitesh, risku i përmbytjes (risku ёshtё kombinimi i mundësisë së ndodhjes së një ngjarjeje dhe të pasojave të saj negative) është mjaft i lartë, sidomos në Ultësirën Perëndimore.
Sipas analizës krahasuese të qarqeve për risqet e paraqitura në gjashtë raportet tematike, qarqet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive në vend përfshijnë Tiranën, Vlorën dhe Shkodrën (risk i lartë), pasuar nga Fieri, Elbasani dhe Durrësi (risk i lartë). Berati dhe Kukësi (mesatar në të lartë), Korça, Lezha, Dibra, dhe Gjirokastra (risk mesatar) janë më pak të rrezikuara për sa i përket rreziqeve kryesore, raportoi Ministria e Mbrojtjes.
Rekomandimet e dhëna në raportin e Vlerësimit të Riskut nga Fatkeqësitë në nivel qendror, janë reflektuar në prioritete në Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (gjithashtu në proces miratimi me VKM)./Monitor