Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka dënuar sulmin me armë kundër Top Channel që la të vdekur rojën e godinës. “Ambasada e SHBA në Tiranë dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë” shkruan selia diplomatike në Tiranë.
Për sulmin ka reaguar edhe prezenca e OSBE-së në Tiranë. “Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik.
Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë” mbyllet reagimi.
Edhe BE ka dënuar sulmin ndaj Top Channel ku vdiq edhe punonjësi i sigurisë, Pal Kola. ‘Delegacioni i BE-së në Shqipëri dënon sulmin me armë zjarri në mjediset e Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojes së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm.
U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen.’- thuhet në reagim.