Ish-kryeministri, Sali Berisha po zhvillon një takim me demokratët e Kuçovës ku po prezanton kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë, Lefter Maliqi.
Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh vendi në një kohë të shkurtër ka humbur më shumë se një gjeneratë nga largimet e shumta.
“Kurrë ndonjëherë nuk ka ndodhur që në një hark 8-vjeçar, jo me Shqipërinë, por me asnjë vend tjetër nuk ka ndodhur të largohen nga vendit 1/3 e popullatës. Kurrë ndonjëherë një komb nga asnjë luftë, asnjë mënyrë nuk ka humbur në një kohë të shkurtër, më shumë se një gjeneratë sa kemi humbur ne.
Ndaj dhe ky entuziazëm, kjo energji është burim i fuqishëm frymëzimi, është burim i fuqishëm shprese, për banorët e Kuçovës dhe mbarë shqiptarët që në datën 14 maj të votojnë kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Lefter Maliqin njërin nga qeveritarët vendorë më të përkushtuar të këtij vendi.
Një bir të këtyre trevave, që pushtetin që i dhanë ju, e përdori për transformime, ndryshime, përmirësim të jetës tuaj, të kushteve tuaja, të punës tuaj në tërësi.
Komunat në të cilat qeverisi Lefter Maliqi, pësuan ndryshime më thelbësore se shumë e shumë rajone e komuna të tjera të vendit, dëshmi kjo e përkushtimit, por edhe e ndershmërisë, transparencës, vizionit, dashurisë së tij për të ndryshuar çdo ditë realitetin ku jetoni.
Lefter Maliqi në çdo detyre, ka qenë dhe ka dëshmuar një përkushtim të madh. Ai vjen sot si kandidat i koalicionit me mbështetje të plotë dhe totale të demokratëve, të qytetarëve, të Partisë së Lirisë dhe unë kam bindjen e madhe se këtu në Kuçovë, koalicioni ynë do të ketë një nga sukseset më të shkëlqyera,” u shpreh Berisha.









