Prokuroria e Tiranës njoftoi sot se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen për gjykim ndaj tre të pandehurve, Marjeta Karaj, djalit Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota, të akuzuar për vrasjen dhe djegien e Menduh Kurtdedës. Prokuroria thotë se personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “Vrasje me dashje’’.
Marjeta Karaj, drejtuese në një “OJF” për fëmijët ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me të ndjerin, në lidhje me financimin dhe menaxhimin e fondeve të shoqatës. Në 2017 djali i saj, Besmir Karaj dhe miku i tij, i pandehuri Gazmir Ngota, me kërkesë të Marjeta Karajt kanë marrë të ndjerin në makinë dhe e kanë transportuar në Kodër Shupal.
Aty e kanë lidhur dhe ushtruan presion për kthimin e një borxhi që Marjeta pretendonte se i ndjeri i kishte. Në momentin që viktima ka mohuar borxhin dy personat i kanë vënë flakën. Marjeta Karaj dhe Gazmir Ngota u arrestuan ndërsa Besmir Karaj është në kërkim.