Venkateswari Alagendra, avokatja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha në fillim të deklaratës së saj hyrëse në gjykim se klienti i saj nuk ka pasur asnjë përgjegjësi operacionale në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Z. Krasniqi nuk përmendej në raportin e Këshillit të Europës të vitit 2011 si i dyshuar për ndonjë përgjegjësi penale”, tha ajo në deklaratën hyrëse në gjykim. “Nuk është arrestuar kurrë për krime”, theksoi Alagendra në seancën e sotme në Gjykatën Speciale.
Fakti që disa dokumente u gjetën në banesën e Krasniqit, avokatja tha se nuk i bën ato autoriale.
“Prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”, tha ndër tjerash Alagendra.
Ajo tha se arrestimi i Krasniqit ishte “goditje edhe për popullin e Kosovës”, që siç tha ajo, e kishin njohur ndryshe kryetarin e dikurshëm të Kuvendit.
“Do të shikoni se si ai nuk do të duhej të ishte akuzuar fare”, i tha avokatja trupit gjykues.
Sipas saj, Prokuroria i ka bërë “6 gabime fatale”, në raport me akuzat ndaj Jakup Krasniqit.
“Gabimi i parë është që Prokuroria e keqkupton ose qëllimisht e keqpërfaqëson rolin personal të z. Krasniqi”, ka theksuar ajo, duke insistuar se ai ishte “vetëm zëdhënës”.
“Z. gjykatës, ne të gjithë e dimë se çfarë roli ka zëdhënësi dhe kufizimet e tij. Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale ushtarake. Roli i tyre është kontakti dhe marrëdhëniet me publikun. Ky, i nderuar gjykatës, ishte pikërisht roli që ka luajtur z. Krasniqi atë kohë”, tha avokatja Alagendra.