Ish-Presidenti Donald Trump u akuzua të martën për 34 akuza penale që lidhen me falsifikim të të dhënave të biznesit. Sipas prokurorëve, duke filluar nga gushti i vitit 2015, zoti Trump orkestroi një skemë të paligjshme, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, skemë që parashikonte, blerjen e informacione negative që lidheshin me të, për të mos lejuar publikimin e tyre, pasi mund t’i dëmtonin shanset për t’u zgjedhur. Zoti Trump u deklarua i pafajshëm para një gjykatësi në Nju Jork. Ai më pas bëri një dalje të publike, nga rezidenca e tij në Mar-A-Lago.
Në reagimin e tij të parë pas njohjes me akuzat, ish-presidenti bëri kritika të ashpra, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. Në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida të martën në mbrëmje, ish-presidenti foli para mbështetësve, duke hedhur akuza të shumta, në një fjalim, që sipas vëzhguesve i ngjante një fjalimi elektoral.
Ai ishte i ashpër me prokurorin Alvin Bragg, si dhe me gjykatësin e çështjes Juan Merchan edhe pse ishte paralajmëruar disa orë më pare në gjykatë që të mos përdorte një retorikë nxitëse. Ish-Presidenti këmbëngul se çështja ndaj tij është një sulm politik, që synon të dëmtoj ambiciet e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Trump kryson në garën mes kandidatëve republikanë për zgjedhjet e vitit 2024. Ai sulmoi mbrëmë ashpër prokurorin dhe gjykatësin që po trajton çështjen e tij, pavarësisht se ishte këshilluar disa orë më parë që të mos përdorte retorikë nxitëse.