Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i kërkoi sot KQZ-së dhe KAS-it që të nxjerrin nga gara kryetarin e bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, i dënuar nga gjykata. PS thotë se ligji nuk e prek, por Bardhi ka një tjetër mendim dhe tani është KQZ që e vendos.
“Brenda ditës së sotme do të depozitojmë edhe ankim në KAS pas KQZ me qëllim zbatimin e ligjit të dekriminalizimit. Është e vërtetë që Qerim Ismailaj është dënuar me 6 muaj burg. Iu zbrit 1/3 në 4 muaj dhe në fund u dënua me 40 orë punë në komunitet.
Por sipas ligjit ulja e masës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar nuk ndikon në zbatimin e ligjit për shkurtimin e periudhës së ndalimeve parashikuar nga dekriminalizimi. Ismailaj konsiderohet i dënuar me 6 muaj burg dhe është subjekt i ndalimit nga dekriminalizimi. Ndalohet deri në 29 mars 2025 që të kandidojë” tha ai.