Shefi i Organizimit në grupin e Sali Berishës, Klevis Balliu denoncoi këtë të shtunë procedurat sipas tij korruptive të kryebashkiakut të Kamzës Rakip Suli, sa i përket tenderave që organizon institucioni që ai drejton, duke favorizuar po sipas tij, familjarët e deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.
“Në vijim të denoncimeve të mëparshme, koalicioni Bashkë fitojmë, vazhdon me denoncimet publike, lidhur me shpërdorimin dhe abuzimet e fondeve publike në Bashkinë Kamëz, nga Kryetari në ikje, Rakip Suli.
Referuar Buletinit të Njoftimeve Publike datë 10 Tetor 2022, Bashkia Kamëz ka zhvilluar tenderin me objekt: “Ndërtim rruga Kongresi i Dibrës”. Në këtë Buletin shpallet shoqëria fituese “Dajti Park 2007” Shpk. Kontrata për këtë objekt prokurimi është lidhur në datë 17.10.2022, referuar kjo Buletinit të 24 Tetorit 2022.
Si gjithmonë, oferta më e ulët skualifikohet, ndërkohë që këtë tender duhej ta fitonte shoqëria “Dajti Park 2007” shpk, pavarësisht se të gjitha shoqëritë pjesëmarrëse në këtë tender, mund të kenë bërë marrëveshje me njëra tjetrën, sepse të gjitha janë fituese në tendera të tjerë të zhvilluara nga Bashkia Kamëz, pra të gjitha ofertat pjesëmarrëse janë afër vlerës së fondit limit” tha ai.