Svetlana Timofeeva kishte vizituar me qindra godina të rrënuara, por nuk ishte përballur ndonjëherë me akuza spiunazhi përpara vizitës së saj në Shqipëri në gusht të vitit 2022. E njohur me emrin Lana Sator në rrjetet sociale, bogerja ruse e gjeti papritur veten në qendër të një lajmi që bëri xhiron e botës.
“Unë besoj se historia jonë u transformua në një thriller spiunësh nga gazetarët,” thotë Timofeeva në një intervistë me shkrim nga qelia e saj në burgun “Ali Demi” në Tiranë. “Dhe ishte lënduese,” shton ajo.
Timofeeva, 34 vjeç, u arrestua më 20 gusht 2022 së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.
Intervista me Timofeevan u realizua me shkrim, pasi një kërkese e BIRN për ta vizituar atë në institucionin e vuajtjes së dënimit “Ali Demi” në Tiranë, u refuzua nga autoritetet.
Me letra të shkëmbyera përmes avokatëve, Timofeeva tregon për herë të parë se çfarë ndodhi në fund të gushtit në Gramsh, se si i ka përjetuar thuajse tetë muajt e kaluar në qeli dhe çfarë mendon ajo për akuzat dhe procesin në Shqipëri.
Timofeeva pretendon se nuk e di me saktësi se çfarë ndodhi mes Zorin dhe rojeve të uzinës, pasi në momentin e incidentit ajo ndodhej me disa adoleshentë vendas, të cilët po e ndihmonin që të lidhej me internetin. Ajo nuk po gjente makinën dhe pasi u lidh me Alpatov, ai u kthye ta merrte.
Policia i ndaloi të dy në makinën sportive në ngjyrë portokalli, ndërsa ndodheshin në afërsi të Cërrikut. Timofeeva thotë se sendet që ndodheshin në makinë i shtuan dyshimet./ BIRN