Në Shqipëri, lindjet vijojnë të bien në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm vitin e fundit ato ranë me 13%, krahasuar me vitin 2021.
Studiues, zyrtarë dhe mjekë e shohin me shqetësim këtë fenomen, pasi lindjet prej dy dekadash janë nën normën 2.1 fëmijë për një grua në moshë riprodhuese, që cilësohet si kufiri i nevojshëm, për të ruajtur popullsinë.
Autoritetet kanë ndërmarrë disa masa me qëllim për të rritur numrin e lindjeve në vend, por studiuesit mendojnë se ato janë të pamjaftueshme dhe se ende mbetet punë për të bërë. Zëri Amerikës bisedoi me nëna që i kanë sfiduar këto statistika dhe që përpiqen të ngrihen mbi pengesat që hasin në rritjen e fëmijëve.
Në Shqipëri lindshmëria po shënon nivele gjithnjë e më të ulëta dhe që prej vitit 1990 lindjet janë tkurrur me 71%, në dekadën e fundit me 31% dhe në vitin 2022 shënuan një rënie me 13% krahasuar me vitin paraardhës, duke ju referuar të dhënave të INSTAT. Njohës të fushës së demografisë, mjekë dhe zyrtarë shohin me shqetësim edhe rënien e numrit të lindjeve për një grua në moshë riprodhuese. Prej 20 vitesh ato janë nën normën 2.1 fëmijë për një grua, që është dhe norma e nevojshme për ruajtjen e popullsisë.