Shtyhet për në datë 26 Prill seanca në Gjykatën Kushtetuese për padinë e grupit parlamentar të PD-së kundër vendimit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Pas seancës ka folur deputeti Gazment Bardhi.
Shkak u bë kërkesa e palës tjetër në proces, qeverisë që argumentoi se dy prej emrave që kanë firmosur në kërkesën e PD-së, Grida Duma dhe Alfred Rrushaj nuk janë më deputetë. Por Gazment Bardhi tha se është gati që të çojë sa firma të dëshirojë Kushtetuesja.
“Kolegët që kanë vendosur në lëvizje gjykatën kanë qenë në ushtrim të detyrës më pas kanë dhënë dorëheqjen. Kjo është taktikë për të zvarritur kërkesën. Grupi i PD-së e ka depozituar që në tetor kërkesën. Do të duhet të kishim një shqyrtim shumë kohë më parë. Mesa duket këshilli i ministrave ka vendosur ta zvarrisë.
Grupi i PD-së ka më shumë se 28 anëtarë dhe në cdo rast është gati për të dorëzuar një kërkesë m e 28 firma. Por ky është pretendim absurd i KM, i pabazuar në ligj. Bëhet vetëm për të fituar kohë. Nëse gjykata çmon që duhet, jo 2 firma, por më shumë do të dorëzojmë në Kushtetuese” tha ai.
Operacionin e qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve opozita e quajti shkelje të ligjit ndaj PD e dërgoi në Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e vendimit pasi sipas demokratëve Rama ka marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të kullave pa leje në mes të Tiranës. PD përmes padisë argumentoi të gjitha shkeljet e ligjit.