Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi zhvilloi një takim me banorët të Njësisë Nr. 5 në kryeqytet. Këlliçi shpjegoi në mënyrë të detajuar për banorët e kësaj njësie, programin e tij për drejtimin e kryeqytetit në katër vitet e ardhshme, ku fokusi do të jetë ulja e kostove të jetesës për të gjithë qytetarët e Tiranës.
Fillimisht, Belind Këlliçi u dha garanci banorëve të kësaj njësie për mbrojtjen e pronës. Duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve për projektvendimin e qeverisë, që parashikon shembje të pallateve mbi 50 vjet, Belind Këlliçi u shpreh se kjo gjë nuk do të ndodh pas 14 majit. Sipas tij, nëse ka nevojë për auditim të pallateve të vjetra, ai do të kryhet me një grup të përbashkët ku pjesë do të jenë dhe vetë banorët.
Premtimi i tij kryesor është ai për transport publik falas në të gjithë Tiranën. Para banorëve të Njësisë Nr.5 në Tiranë, Belind Këlliçi shpjegoi se ky angazhim është jo vetëm i realizueshëm, por do t`u shërbejë dhe lehtësojë kostot e jetesës 200 mijë qytetarëve në ditë. Kandidati i opozitës ironizoi edhe kryebashkiakun aktual Erion Veliaj, që dikur premtoi tren elektrik, por ky premtim nuk u realizua kurrë.