Kryeministri Edi Rama njoftoi se Bursa Shqiptare e Energjisë “ALPEX” sot nisi operimin, përmes ankandit të parë të tregut të ditës në avancë dhe kështu sipas tij materializohet edhe një nga prioritetet e qeverisë shqiptare për sektorin.
“ALPEX është bursa e dytë operacionale në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si një domosdoshmëri për të garantuar transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, të cilat po shtohen e do të shtohen gjithnjë e më shumë, falë një sërë investimesh të reja apo të tjerave akoma në vijim” tha Rama.
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh se bursa do të thotë më shumë siguri dhe stabilitet. “Kjo ka lidhje me stabilitetin, sigurinë dhe investimet që kompanitë nga e gjithë bota ta shohin Shqipërinë si vend që mund të investojnë. Ka të bëjë edhe me integrimin e tregut me Kosovën, por edhe brenda Ballkanit Perëndimor, dhe më pas rajoni brenda Europës” tha ajo.