Në mbledhjen e sotme qeveria ka vendosur që të shtohen 27 punonjës në administratë, konkretisht në drejtorinë për Informacionin Gjeohapësinor.
Vendimi i qeverisë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 12 e 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Numri i punonjësve të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, për vitin 2023, shtohet me 27 (njëzet e shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 73 (shtatëdhjetë e tre) punonjës.
-
Numri rezervë i punonjësve, për vitin 2023, zvogëlohet me 27 (njëzet e shtatë) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm rezervë në 73 (shtatëdhjetë e tre) punonjës.
-
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, në grupin buxhetor nr.87 “Institucione të tjera qeveritare”, në programin “e-qeverisja”, i shtohet fondi prej 40 (dyzet) milionë lekësh, përkatësisht, 25 (njëzet e pesë) milionë lekë për shpenzime korrente dhe 15 (pesëmbëdhjetë) milionë lekë për shpenzime kapitale.
-
Fondi prej 40 (dyzet) milionë lekësh përballohet nga fondi rezervë i buxhetit.
-
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.