Në mesazhin e tij të urimit për Pashkët Ortodokse, kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos u kërkon besimtarëve çlirimin nga urrejtja dhe variantet e saj.
Kryepeshkopi Anastas vë theksin edhe te lufta në Ukrainë por edhe fatkeqësitë te fqinjtë tanë, tërmeti në Turqi dhe fatkeqësia e përplasjes së trenave në Greqi, për të cilat thotë se ka shkaktuar dhimbje e hidhërim.
“Pashkë 2023
Kapërcimi i dhimbjes – Gëzimi paskal
«Gëzohuni!» (Mt. 28:9)
«Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin,
Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit» (Vargëzim i Pashkës).
Pashka e këtij viti na fton në një betejë të vështirë. Këto vite, veçanërisht muajt e fundit, kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë. Këtyre hidhërimeve u shtohen edhe sprovat e ndryshme personale e shoqërore. Megjithatë, Kisha, përmes himnologjisë së mrekullueshme të Pashkës, na fton në një kalim vendimtar: «Pashka, me gaz le të përqafojmë njëri-tjetrin, Oh, Pashka, na çliron prej hidhërimit».
Hidhërimi dhe gëzimi gjenden përkrah njëri-tjetrit në jetën njerëzore. Kjo e vërtetë theksohet fort në ngjarjet e Javës së Madhe. Përpara Pësimit, gjatë Darkës Mistike, Krishti ua bëri të qartë nxënësve: «Kështu dhe ju pra tani keni hidhërim, por kur përsëri do t’ju shoh dhe zemra juaj do të gëzohet dhe askush nuk do t’jua marrë gëzimin» (Jn. 16:22).“, shkruan në mesazhin e tij të urmit.