E ardhmja e Lionel Messit vazhdon të jetë ende e paqartë. Ylli argjentinas është duke e kaluar sezonin e fundit të kontratës me Paris Saint-Germainin, teksa vazhdon të jetë i lidhur me një rikthim te Barcelona.
Parisienët gjithashtu duan të rinovojnë me Messin, por ende nuk ka ndonjë dakordim mes palëve.
35-vjeçari së fundmi u paraqit në një fushatë reklamash të “Louis Vitton”, ku mes tjerash u pyet edhe për të ardhmen e tij.
“Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas… çfarë do të ketë e ardhmja ime, më pëlqen të imagjinoj, të mendoj për gjërat që mund të ndodhin, por vërtet nuk e di se cila do të jetë e ardhmja ime. Çfarëdo që Zoti dëshiron të jetë, do të bëhet,” tha fituesi i Kupës së Botës.
Messi dhe Barcelona u ndanë në vitin 2021 pasi klubi katalanas u tha se nuk mundi të rinovonte kontratën e tij për shkak të rregullave të kufirit të pagave të La Ligas.
Messi pastaj kaloi si lojtar i lirë te PSG-ja, skuadër me të cilën e fitoi titullin e kampionit në Ligue 1 dhe Superkupën e Francës.