Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi në Parlamentin Evropian sot është miratuar vendimi final mbi liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sveçla ia ka lënë meritat Qeverisë Kurti për këtë vendim, duke thënë se është “konfirmim i punës sonë të palodhshme”.
“Edhe një fitore e radhës e Republikës së Kosovës, sapo u finalizua procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët tanë.
Edhe pse moment gëzimi e konfirmim i punës sonë të palodhshme, nuk kemi kohë për të festuar sepse kemi shumë punë dhe sfida për të tejkaluar.
Angazhimi ynë jo vetëm se është borxh ndaj të kaluarës por është edhe obligim ndaj të ardhmes së vendit tone”, ka shkruar Sveçla.
Ky vendim do të nënshkruhet nesër zyrtarisht në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE’së. Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave.
Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në njoftim.
Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024.