Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua të premten me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi ka ndodhur në Delpi, ku kryeministri Kurti po merr pjesë në Forumin vjetor Ekonomik, i cili organizohet nën patronazhin e presidentes së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou.
Në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti dhe Lajçak diskutuan për takimin e radhës me 2 maj në Bruksel, ku në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës do të takohet me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Në takim u diskutua edhe për marrëveshjet e dakorduara ndërmjet palëve më 27 shkurt në Bruksel dhe më 18 mars në Ohër.
“Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit të Kosovës.
Më herët, të premten, më 28 prill, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, më 2 maj, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./rel