Vrasja disa ditë më parë e biznesmenit, Ardian Nikulaj në Shëngjin shokoi të gjithë Lezhën dhe mbarë vendin.
Nga ana tjetër për veç tragjedisë së ndodhur hapi disa pista hetimi ku në fund u zbardh e gjithë ngjarja dhe rezultoi se ishte për gjakmarrje.
Një fenomen i cili vite më parë ka qenë shumë i përhapur por ndër vite ka filluar të zbehet forca e Kanunit dhe gjakmarrjes. Të paktën kështu ka filluar të konceptohej, se ligji është ai që vendos drejtësi për padrejtësitë që ndodhin.
Por vrasja e Nikulajt solli edhe një herë në vëmendje se ky fenomen akoma egziston dhe po merr akoma jetët e personave.
Në një intervistë për Report TV misionari i Pajtimit të Gjaqeve, Pjetër Gjoka ka shpjeguar situatën dhe ngjarjen që nga zanafilla ku sipas tij gjithçka ka nisur nga fisi Lekstakaj.
“Ngjarja ka filluar diku nga 97-ta për një konflikt të çastit në lidhje me një faturë karbuaranti. Aty ka filluar sherri dhe për të vazhduar më pas. Por ajo që dua të theksoj, dje jam marrë në telefon kam dhënë një intervistë të shkurtër dhe më është keqinterpretuar përgjigjia. Ajo pjesa që dua të sqaroj është se gjakmarrja ka filluar nga pala e Lekstakajve. Ata kanë filluar sherrin me një tjetër, djali i Nikulaj ka qëlluar aty afër dhe ka shkuar për t’i ndarë. Dhe ata me armë i kanë vrarë të dy,” u shpreh pajtuesi i gjaqeve.